Vuçiq përpiqet të zbusë skandalin në Mal të Zi: Ishte gabim politik
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar për herë të parë lidhur me incidentin në aeroportin e Tivatit, ku autoritetet malazeze deportuan rreth 90 shtetas serbë të dyshuar si pjesë e një grupi me prani të ndjeshme sigurie.
Në deklaratat e tij nga Tivati, ku po merr pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor, Vuçiç është përpjekur ta minimizojë ngjarjen, duke këmbëngulur se nuk bëhej fjalë për persona të rrezikshëm apo struktura kriminale, por për “aktivistë” që synonin vetëm shpalosjen e banderolave me mesazhin “Serbia fiton”.
Sipas tij, grupi kishte udhëtuar me qëllime “paqësore” dhe pa armë, duke pretenduar se situata është interpretuar gabimisht dhe është shndërruar në çështje politike. “Ata erdhën për të krijuar një mjedis më të mirë, në mënyrë që unë të ndihesha më mirë”, tha ai, një deklaratë që u pa si tentativë për ta zhvendosur përgjegjësinë dhe për ta zbutur peshën e incidentit diplomatik.
Vuçiç gjithashtu pranoi se disa prej të deportuarve kishin precedentë penalë, por u përpoq ta relativizojë këtë fakt duke e krahasuar me “mesataren e zakonshme në çdo transport publik”.
Ai kritikoi autoritetet malazeze për publikimin e identiteteve dhe materialeve të sekuestruara, duke e cilësuar atë si “shkelje ligjore”, ndërsa njëkohësisht shmangu të japë detaje se kush e organizoi udhëtimin e grupit drejt Tivatit.
Policia e Malit të Zi, nga ana tjetër, ka deklaruar se personat e ndaluar janë konsideruar “me interes sigurie” dhe se disa prej tyre janë të lidhur me ngjarje të mëparshme me elemente dhune. Gjatë operacionit janë sekuestruar pajisje komunikimi dhe materiale me mesazhe politike.
Ngjarja ka shtuar tensionet diplomatike mes Beogradit dhe Podgoricës, në një moment kur Mali i Zi po priste një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare që nga pavarësia e tij në vitin 2006.
Në këtë kontekst, deklaratat e Vuçiqit vlerësohen si një përpjekje për të ulur intensitetin e skandalit politik dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Malin e Zi, ndërsa ai njëkohësisht ka shprehur gatishmëri për “marrëdhënie më të mira dhe më racionale” mes dy vendeve.
The GeoPost
The post Vuçiq përpiqet të zbusë skandalin në Mal të Zi: Ishte gabim politik appeared first on The Geopost.
6/4/2026 3:03:50 PM