Koralet e porsalindura mund të udhëtojnë deri në 100 kilometra
Një studim i ri ka zbuluar se koralet e porsalindura mund të udhëtojnë deri në 100 kilometra, të transportuara nga rrymat detare, përpara se të vendosen në habitatin e tyre të përhershëm në fundin e detit.
Kërkimi është realizuar nga studiues të universiteteve australiane dhe të Universitetit të Sorbonës në Paris, të cilët analizuan më shumë se 1 mijë mostra koralesh të mbledhura në 29 zona të ndryshme.
Rezultatet, të publikuara në revistën shkencore “Current Biology”, tregojnë se barrierat koralore, edhe pse të ndara nga distanca të mëdha, janë më të lidhura mes tyre sesa mendohej më parë. Sipas ekspertëve, ato formojnë një rrjet të gjerë biologjik që ndihmon në ruajtjen dhe ripërtëritjen e popullatave të koraleve.
Studiuesit theksojnë se gjetjet nënvizojnë rëndësinë e mbrojtjes së zonave të mëdha detare, madje edhe përtej kufijve kombëtarë, për të garantuar mbijetesën e ekosistemeve koralore.
Sipas tyre, kjo lidhje natyrore mes barrierave koralore luan një rol kyç në rikuperimin e tyre pas episodeve të nxehtësisë ekstreme në oqeane, veçanërisht gjatë fenomeneve klimatike si El Niño.
The post Koralet e porsalindura mund të udhëtojnë deri në 100 kilometra appeared first on X-Media.
6/4/2026 2:09:01 AM